Pandemia e zgjedhjet, Qeveria “zgjidh qesen” – 248 milion euro ndihmë shtetërore me garanci, grante, përjashtim nga taksat e rimbursime
Ndihma shtetërore që qeveria jep në formën e garancive sovrane, granteve, përjashtimit nga taksat apo rimbursimet ka kërcyer në 248 milionë euro për vitin 2020, thuajse duke u katërfishuar në raport me një vit më parë. Këshilli i Ministrave ka publikuar raportin për ndihmën shtetërore gjatë vitit të shkuar, i dominuar nga Pandemia Covid 19, por edhe nga zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan pak muaj më pas.
Sipas raportit, ndihma shtetërore gjithsej, në vitin 2020, është dhënë në vlerën totale 30,7 miliardë lekë (248.56 mln euro). Shkalla e ndihmës shtetërore ndaj PBB-së u rrit nga 0.5 % në 2019, në 1.96 % në vitin 2020.
Ndërkaq, Shuma e ndihmave shtetërore të dhëna në Shqipëri, gjatë viteve 2017 – 2020, është vlerësuar në rreth 48,4 miliardë lekë (388.54 milionë €), prej të cilave 30,7 miliardë lekë (248.56 milionë €) që përfaqësojnë 1.96 % të PBB-së, janë dhënë në vitin 2020.
Ndërkohë që thuasje një e treta e kësaj ndihme përbëhet nga garancitë sovrane. Deri në dhjetor 2020, në bazë të VKM-së nr.
277, datë 6.4.2020 (Garancia Sovrane 2), janë miratuar 318 marrëveshje të garancisë (në shumën 8, 950.6 mln lekë), të lidhura mes bankave të nivelit të dytë dhe tregtarëve dhe shoqërive tregtare në sektorët e tregtisë, turizmit, prodhimit, ndërtimit, shërbimeve transportit, industrive përpunuese, etj.
Instrumentet kryesore të ndihmës shtetërore në Shqipëri gjatë vitit 2020 janë garancitë shtetërore, grantet dhe përjashtimi nga taksat, rimbursimi apo reduktimi i shkallës tatimore.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.