Pandemia “godet” buxhetet e bashkive – Mungojnë 22 milion dollarë të ardhura, taksat lokale rënie -14%, taksat mbi pasurinë -7%
Për nëntë muajt e parë të vitit në arkat e bashkive mungojnë 2.2 miliardë lekë të ardhura, me një rënie prej 12% krahasuar me një vit më parë. Nga raporti i sapo publikuar nga Ministria e Financave mbi treguesit fiskalë të bashkive në vend, efekti i COVID-19 është ndjerë në të gjitha zërat, ku rënien më të madhe e ka pësuar zëri i taksave lokale prej -14%, dhe pas tij zëri I taksave mbi pasurinë me rreth -7% – krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë 9 mujorit të vitit 2020, në totalin e të ardhurave të veta të mbledhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore burimet më të rëndësishme me rreth 18% ose 2.9 miliard lekë e zë “Taksa mbi ndërtesën”, rreth 36% ose 6 miliard e zë “Taksa e ndikimit në infrastructure nga ndërtimet e reja”dhe 17% ose 2.8 miliard lekë e zë “Tarifa e pastrimit dhe higjienës”.
Nga taksat mbi pasurinë në 9 mujorin 2020 janë akumuluar gjithsej 3.9 miliard lekë ose rreth 200 milion lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Taksa mbi ndërtesën zë peshën më të madhe me rreth 2.9 miliard lekë ose 76% të totalit të të ardhurave nga taksat mbi pasurinë.
Në raport me totalin e të ardhurave nga taksat e pasurisë, gjatë 9 mujorit të vitit 2020, zëri i taksës mbi tokën bujqësore realizuar në vlerën e rreth 373 milion lekë dhe zëri i taksës së transaksionit të pasurive të paluajtshme të realizuar në masën 403 milion lekë, zënë vetëm 20%.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë, gjatë 9 mujorit të vitit 2020, me 6 miliard lekë zë 49% në vlerën totale të “taksave te tjera lokale” (prej 12.4 miliard lekë). Nga ky burim i të ardhurave vendore krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, gjatë 9 mujorit 2020 janë akumuluar rreth 1.1 miliard lekë më pak të ardhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Bashkia Tiranës ka mbledhur rreth 59.7% të totali të të ardhurave vendore (ose 10.9 miliard lekë) gjatë 9 mujorit të parë 2020. Ndërkohë që për bashkinë Tiranë burimi me të ardhurat më të mëdha është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë” e cila arrin vlerën e 4.8 miliard lekë. “Taksa e ndikimit në infrastrukturë” përbën 45% të të ardhurave nga burimet e veta të bashkisë Tiranë , ose rreth 26% të totalit të të ardhurave vendore për 61 bashkitë.
Të grupuara sipas numrit të popullsisë, bashkitë me mbi 100 mijë banorë (11 bashki përfshi edhe Tiranën) kanë realizuar 83% të totalit të të ardhurave të veta vendore. Duke përjashtuar Bashkinë Tiranë, 10 bashkitë me mbi 100 mijë banorë kanë mbledhur rreth 4.1 miliard lekë ose rreth 56.6% të totalit të të ardhurave vendore (për 60 bashkitë e mbetura).
13 bashkitë me popullsi ndërmjet 50 -100 mijë banorë kanë mbledhur rreth 1.3 miliard lekë ose 18.5% të totalit të të ardhurave vendore (te 60 bashki pa përfshirë Tiranën). 37 bashkitë me popullsi nën 50 mijë banorë kanë mbledhur 1.8 miliard lekë ose 24.8% të totalit të të ardhurave të veta vendore (te 60 bashki pa përfshirë Tiranën).
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.