Pandemia zbut çmimet e naftës përsëri – Brent bie nën 110 USD/fuçi. Bisedimet për paqe ndikojnë gjithashtu

Nafta ka vazhduar humbjet në tregtinë e së Martës prej lajmërimit të bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë dhe prej shqetësimeve të rënies së kërkesës në Kinë, pasi qendra financiare e Shangait u mbyll për të frenuar rastet me Covid.
Nafta Brent, çmimi në bursën e Londrës, ra me 1.1% në 111.3 dollarë për fuçi në nisje të tregtisë, pasi preku nivelin e ulët prej 109.97 dollarë për fuçi.
Nafta bruto amerikane ra me 1% në 104.87 dollarë për fuçi, pasi preku nivelin e ulët prej 103.46 dollarë për fuçi më herët gjatë tregtisë. Të dy kontatat humbën rreth 7% në ditën e Hënë.
Ukraina dhe Rusia caktuan një takim në Stamboll për të biseduar për një armëpushim, që është dhe takimi i parë në 2 javë.
Duke larguar shqetësimet nga tkurrja e ofertës, karantina 9-ditore në Shangai pritet të godasë kërkesën në Kinë, që është importuesi më i madh në botë i naftës. Qendra financiare e Shangait zë 4% të konsumit të naftës në Kinë, sipas analistëve.
Tregu po pret gjithashtu takimin e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës ditën e Enjte, që pritet të mos ndryshojë planet për rritje graduale të prodhimit në muajin e ardhshëm.
Kërkesa në nivel botëror është rritur në nivelet e para-pandemisë, por oferta ka ngecur, ndërkohë që OPEC ka qenë e ngadaltë në rikthimin e prodhimit, që u shkurtua gjatë pandemisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.