Papunësia bie me vetëm 0.1% në Greqi

Greqia vijon të ketë normën më të lartë të papunësisë në Europë, pavarësisht se, instituti i statistikave në vend raporton një rënie modeste gjatë tremujorit të fundit të vitit. Greqia i`a ka dalë të ulë papunësinë gjatë Tetorit të vitit të kaluar, në 23%, nga 23.1% që ishte në muajin paraardhës.
Progreset janë thuajse inekzistente, dhe me këtë ritëm, fqinjët do të vazhdojnë të mbajnë rekordin në Europë për papunësinë më të lartë për dekada me radhë. Zyrtarisht, në Greqi numërohen 1.1 milionë të papunë. Fenomeni është më i përhapur mes të rinjve, grupmoshës nga 15 deri në 24 vjec. 44.2% e tyre janë të papunë. Në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, kjo normë fiksohej në 48.8%.
Pavarësisht progresit minimal, norma e papunësisë në Greqi ka zbritur pranë nivelit më të ulët që prej muajit Mars të vitit 2012. Në muajin Shtator të vitit 2013, papunësia prekte nivelin e 27.9%. Mesatarja në Eurozonë sot fiksohet në 9.8%. Qeveria helene pret që papunësia të zbresë në 22.6% gjatë këtij viti, duke u bazuar në projeksionet e buxhetit, që flet për një rritje ekonomike në 2.7%.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.