Papunësia kthehet në nivelet e parakrizës: Zbret në 11.3 %, punësimi në rritje!
Tregu i punës ka vijuar të japë shenja pozitive rikuperimi, pasi në tremujorin e tretë 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart u regjistrua në 11,3 %, duke u ulur me 0,3% , si në krahasim me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, po ashtu edhe me tremujorin e dytë të vitit 2021. Referuar Anketës Tremujore të Forcave të Punës, të publikuar nga INSTAT, papunësia ka aritur thuajse në nivelet e parakrizës, që i takon tremujotit të tretë dhe të katërt të vitit 2019, ku regjistrohej në nivelin 11.4-11.2 për qind.
Nga ana tjetër përgjatë periudhës Korrik-Shtator 2021, numri i të punësuarve u rrit me 0.7 për qind në raport me të njëjtin vit më parë, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm u rrit me 2.4 për qind. Në terma vjetorë, punësimi ka pësuar rritje me 10,1 % në sektorin e industrisë, me 0,5 % në sektorin e shërbimeve, ndërsa është ulur me 4,5 % në sektorin e bujqësisë.
Në tremujorin e tretë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, fiksohet nw 70,1 %, duke u rritur me 0,3% në krahasim me të njëjtën përiudhë të vitit 2020, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 1,1%.
Përgjatë kësaj periudhe, 17,5 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, ndërkohë që 11,3 % deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, duke u klasifikuar kështu si të papunë të dekurajuar.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.