Papunësia në 12.1% – Tregu i punës nuk reflekton pesimizmin rreth ekonomisë
Me gjithë përkeqësimin e pritshmërive rreth ekonomisë së vendit, niveli i papunësisë ngelet në nivelet më të ulëta të 30 viteve të fundit.
Sipas Institutit të Statistikave, shkalla zyrtare e papunësisë në tremujorin e parë të këtij viti ra më tej në 12.1%, nga 12.3% që kishte qenë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare ka rënë me 0.4 pikë përqindjeje. Për popullsinë në moshë pune, shkalla e punësimit arriti 60.3%, nga 60% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.
Duke iu referuar statistikave zyrtare, ekonomia shqiptare ka arritur shkallën më të ulët të papunësisë dhe shkallën më të lartë të punësimit të regjistruar në periudhën post-komuniste. Papunësia për të rinjtë nga mosha 15 deri në 29 vjeç ra ishte 22.2%, çka përfaqëson nivelin më të ulët historik edhe për këtë segment. Megjithatë, për të rinjtë shkalla e papunësisë është 10 pikë përqindje më e lartë se mesatarja, çka tregon se përfshirja e tyre në tregun e punës nuk është e lehtë. Aktualisht, vetëm 41% e të rinjve mes 15 dhe 29 vjeç janë në marrëdhënie pune.
Pjesa më e madhe e të rinjve që nuk punojnë janë nxënës ose studentë, megjithatë, rreth 8.3% e tyre klasifikohen si të papunë të dekurajuar, që deklarojnë se nuk po kërkojnë punë ngaqë s’kanë besim se do ta gjejnë. Sipas ndarjes gjinore, papunësia është lehtësisht më e ulët për femrat, me 11.9%, ndërsa për meshkujt raporti është 12.2%. Papunësia te femrat është më e ulët edhe sepse ato kanë një përfshirje më të ulët në tregun e punës dhe angazhohen më shumë me detyra shtëpiake.
Deri tani, duket se tregu i punës nuk po reflekton shqetësimet në rritje rreth ecurisë së ekonomisë reale. Pritet që këtë vit ritmet e rritjes ekonomike të reduktohen, pas shtysës së përkohshme nga sektorit energjetik vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë gjykon se rreziqet janë shtuar, ku faktorët kryesorë janë ecuria e dobët e ekonomisë së Eurozonës dhe kriza politike në vend.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.