Papunësia në Francë – Rritja e kërkesës te firmat nxit punësimin, mbështet planet e Macron

Numri i personave të papunë në Francë ra në një nivel rekord në muajin Shtator, duke mbështetur planet e presidentit Emmanuel Macron për të riorganizuar tregun e punës.
Numri i personave të regjistruar të papunë në Francë ra me 64 mijë në Shtator, që është shifra më e madhe që prej vitit 1996. Rënia me 1.8% e personave të papunë me bazë mujore, e çoi totalin në 3,47 milionë.
Ky përmirësim i jep mbështetje pretendimeve të qeverisë së Macron se reforma e tyre po nis të japë efekte në rritjen e punësimit. Macron ka caktuar objektiv uljen e papunësisë në ekonominë e dytë më të madhe të Europës, që ka ngecur në rreth 10% prej vitesh, me një ndryshim të rregullave në tregun e punës, që pritet të ndiqet nga reformimi i përfitimeve të papunësisë dhe trajnimit profesional.
Ndjesia e bizneseve është fuqizuar që prej zgjedhjeve në muajin Maj, nga axhenda pro-biznesit e Macron. Kompanitë kanë rritur stafin në muajin Tetor me normën më të shpejtë në thuajse 1 dekadë, për t’i bërë ballë kërkesës së fortë.
Firmat industriale kanë raportuar se kapaciteti i tyre është rritur në nivelet më të larta që prej krizës financiare, tregon një sondazh i zyrës së Statistikave të Francës, INSEE. Kjo përbën një sinjal pozitiv për tregun e punës, ndërkohë që më shumë firma do të duhet të rrisin punësimin për të përballuar kërkesën e klientëve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.