Papunësia ulet në 13.9% – Tremujori zgjedhor rrit punësimin

Shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare është ulur më tej në 13.9% në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ky është niveli më i ulët i papunësisë në ekonomi për katër vitet e fundit.

Shkalla e papunësisë ka rënë edhe për popullsinë në moshë pune, në intervalin 15-64 vjeç, duke zbritur në 14.3%, nga 14.6% që kishte qenë në tremujorin e parë. Sipas gjinive, papunësia ngelet më e lartë mes meshkujve, me 14.9%. Megjithatë, papunësia te meshkujt ka rënë ndjeshëm në tremujorin e dytë, ndërsa papunësia mes femrave, ndonëse është më e ulët, është rritur lehtë në 12.5%.
Një përmirësim i mëtejshëm është regjistruar në shkallën e papunësisë së të rinjve, që ka rënë sërish me 0.2%. Megjithëse në rënie gjatë viteve të fundit, papunësia e të rinjve ngelet pothuajse dy herë më e lartë në raport me mesataren e ekonomisë.
Edhe shkalla e punësimit në ekonomi për tremujorin e dytë të këtij viti rezultoi në përmirësim, duke arritur në 57.3%, nga 56.3% që kishte qenë në tremujorin e parë. Shkalla e punësimit mat raportin mes numrit të të punësuarve dhe popullsisë në moshë pune.
Zgjedhjet e qershorit duket se kanë ndikuar pozitivisht edhe në punësim, falë rritjes së investimeve publike dhe zgjerimit të aktivitetit të biznesit të lidhur me këto investime. Sipas Instat, në tremujorin e dytë të këtij viti punësimi u përqendrua edhe më shumë në sektorin e shërbimeve, ndërsa punësimi në bujqësi pësoi rënie.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.