Papunësia ulet në 14.2% – INSTAT: Bie papunësia, por dhe punësimi

Shkalla e papunësisë në fund të vitit 2016 zbriti në 14.2%, niveli më i ulët që nga viti 2013.
Mbështetur në Anketën e Forcave të Punës, Instituti i Statistikave vlerëson se shkalla e papunësisë për popullsinë në moshë mbi 15 vjeç ka rënë me 0.5 pikë përqindjeje në tremujorin e fundit të vitit. Mbështetur në këto të dhëna, shkalla zyrtare e papunësisë është në nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit 2013.
Ndërkohë, për popullsinë në moshë pune, në intervalin 15-64 vjeç, papunësia rezulton më e lartë, në 14.5%, por sidoqoftë edhe kjo në rënie krahasuar me tremujorin e tretë të vitit.
Sipas gjinive, papunësia mes meshkujve ngelet më e lartë, me 14.5%, ndërsa për femrat ky tregues është 13.7%. Veç të tjerash, kjo lidhet edhe me faktin që femrat kanë një shkallë më të ulët të pjesëmarrjes në forcat e punës, çka sjell një numër më të ulët të punëkërkueseve femra.
Sipas grupmoshave, papunësia mes të rinjve është rritur sërish, në 28.1%, duke qenë kështu dy herë më e lartë se papunësia mesatare në ekonomi. Në tremujorin e fundit, shkalla e papunësisë ka rënë pavarësisht se edhe niveli i punësimit në ekonomi është në rënie.
Sipas Instat, ky tregues ka rënë në 56.2%, nga 57.1% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Instat vlerëson se rënia e punësimit ka ardhur sidomos nga sektori i bujqësisë dhe industrisë.
Rënia e papunësisë në një tremujor kur shkalla e punësimit nuk është rritur mund të lidhet kryesisht me tkurrjen e forcës së punës dhe rritjen e numrit të individëve ekonomikisht jo-aktivë.
Në statistikat e punësimit, të papunë klasifikohen ata individë që janë në kërkim aktiv të një pune, duke përjashtuar ata që nuk duan apo nuk kanë mundësi të punojnë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.