Para vizitës në Zvicër – Rama: Nëse dështon integrimi në BE, në Ballkan hapet çështja e kufijve

Një ditë para vizitës së tij në Zvicër, kryeministri Edi Rama paralajmëron se një dështim i mundshëm i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian, do të hapte debatet për çështjen e kufijve në rajon. Në një intervistë të dhënë për portalin zviceran “dialogplus.ch“, Rama thotë se fati i vendeve të Ballkanit është i lidhur ngushtë me të ardhmen e Europës.
“Ballkani nuk do të merret me kufijtë e vet deri kur do të besojë tek Europa dhe deri kur Europa do të vazhdojë të motivojë Ballkanin si një horizont të patjetërsueshëm. Fati i stabilitetit në Ballkan dhe i vetë njerëzve të gjeneratës tjetër në Ballkan është i lidhur ngushtësisht me fatin e Europës. Nëse mbyllet perspektiva europiane, nëse dështon anëtarësimi në BE, atëherë në Ballkan hapet debati për kufijtë”, tha Rama.
I pyetur për rolin e Rusisë në Ballkan, Rama thekson se ka një prezencë të shtuar pas një mungesë të gjatë ndikimi në rajon. Ai komenton edhe raportet me Serbinë dhe Turqinë.
“Është një realitet që Rusia po faktorizohet ndjeshëm pas një periudhe të gjatë mungese, por këto janë arsye që Europa të jetë shumë e vëmendshme ndaj Ballkanit dhe ndaj Serbisë, ashtu sikur edhe ndaj vendeve tjera. Ndërkohë që për ne s’ka dilemë, Turqia është partner strategjik, por destinacioni ynë është Bashkimi Europian”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama foli edhe për krijimin një linje ajrore mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Kjo sipas tij, do të rrisë numrin e turistëve në vendin tonë do t’u mundësojë shqiptarëve të udhëtojmë me bileta më të lira.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.