“Paraja, bankat dhe shoqëria” – Promovohet libri i autorëve Anastas Angjeli dhe Aristotel Pano
Një rrugëtim 3-mijë vjeçar i parasë dhe i bankave është hedhur në dy vëllime që mbajnë emrat e autorëve Anastas Angjeli dhe Aristotel Pano. Libri me titull “Paraja, Bankat dhe Shoqëria, bashkëudhëtim historik që nga fillesat në kohët moderne” është promovuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
“Padyshim që ky libër, nga vetë tematika që rrok titulli i tij, brendia e tij përcjell një mesazh historik dhe shumë aktual për sot, rolin që sistemet monetare kanë luajtur në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve dhe stabilitetin e tyre. Prandaj, zbatimi me konsekuencë i sistemit tonë monetar, bankar, stabiliteti dhe qendrueshmëria monetare dhe fiskale edhe në kushtet e tronditjeve politike janë të domosdoshme dhe duhet të jenë në vëmendjen e të gjithëve.”
Akademiku Muzafer Korkuti, e cilësoi botimin si një enciklopedi të vërtetë dhe të thelluar dhe një kontribut të ri shkencor.
“Ky botim është vlerë edhe për faktin e thjeshtë se pasi e lexon njihesh me historinë 13-vjeçare të parasë e bankave. Lind natyrisht edhe pyetja për këdo që e lexon: SI do të jetë ecuria e parasë dhe e bankave? Kështu, në historinë e lindjes së monedhës, parasë të bankave ky botim për mendimin tim i zgjeruar është një kontribut i ri shkencor.”
Ndërsa për Guvernatorin Gent Sejko, ky botim vjen në një moment të rëndësishëm për ekonominë.
“Ky libër vjen në një moment të veçantë dhe të rëndësishëm. Ekonomia e financat ndjejnë nevojën për një analizë dhe reflektim të thellë si në aspektin praktik, ashtu edhe në atë filozofik.”
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.