Paraja në qarkullim arrin në 359 mld Lekë – Rekord i ri historik, rreth 428 mln euro më shumë se marsi i 2020-ës

Treguesi i parasë në qarkullim ka vijuar trajektoren rritëse edhe përgjatë muajit Mars të këtij viti, duke u ngjitur në 359 mld lekë, nga rreth 356 miliardë lekë që ishte gjatë muajit paraardhës. Rritja në terma mujorë fiksohet kështu në 0.7%, nga 0.6% që ishte gjatë muajit paraardhës, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Marsi është muaji i dytë me radhë ku ky tregues regjistrohet në rritje, pasi në janar regjistrohej një rënie e lehtë.
Krahasuar me marsin e vitit paraardhës, kur paraja në qarkullim vlerësohej në rreth 306 mld lekë, janë rreth 53 miliardë lekë më shumë para në qarkullim në ekonominë shqiptare, ose rreth 428 milionë euro, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Treguesi që flet për 359 miliardë lekë para në qarkullim gjatë muajit mars ka prekur kështu një nivel të ri historik. Pas krizës së shkaktuar nga pandemia, në kuadër të politikave të saj monetare për të mbështetur ekonominë, Banka e Shqipërisë ka injektuar një sasi rekord likuiditeti në sistem.
Paraja në qarkullim mat vetëm nivelin e monedhës vendase në qarkullim dhe asnjë valutë të huaj, duke llogaritur diferencën e parasë së emetuar nga Banka e Shqipërisë dhe sasisë së parave që gjendet akoma në arkat e institucionit, pra të gjithë sasinë e lekut shqiptar që është në qarkullim në sistem, jashtë dyerve të Bankës së Shqipërisë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.