Paralajmërimi trishtues i një studimi/ Venecia do të zhduket deri në vitin 2050!

Termi “Waterworld” ka dalë si fenomen nga fantashkenca ose nga shkenca e së ardhmes për t’u bërë sot një rrezik i afërt, shumë më i afërt dhe më shkatërrues nga sa imagjinohej. Në Europë rreziku më i madh është ai i Britanisë së Madhe, ku popullsia e synuar nga ngritja e oqeaneve është tre herë më e lartë se supozohej më parë. Ndërsa për Italinë ka të paktën konfirmime të alarmit për Venecian dhe bregdetin veri-perëndim.
Alarmi i ri u lançua nga një studim i ri, në shkallë të gjerë, nga organizata jo-fitimprurëse amerikane, Weather Central, e cila me tre vjet punë hulumtuese duke përdorur pajisje të përparuara siç është ‘machine learning’ ka ri skicuar rrënjësisht hartën e ndikimit të efektit serë në ngritjen e oqeaneve dhe ujërave. Kjo do të thotë, se ka rillogaritur shumë më saktë marrëdhëniet midis këtyre niveleve dhe lartësimit aktual të rajoneve bregdetare të planetit, për të qenë të sakta për 135 vende.
Rezultati është tronditës dhe mund të ketë implikime dramatike njerëzore, sociale dhe ekonomike, si dhe mjedisore: vlerësimet se popullsia globale është në rrezik serioz për të përfunduar përgjithmonë nën ujë janë tre fishuar sot krahasuar me ato të bëra para pak kohësh. Kjo nënkupton 150 milion njerëz deri në 2050, në pak më shumë se një çerek shekulli, dhe 190 milion deri në fund të shekullit.
Këto përfundime janë arritur duke përdorur parametra të moderuar ose konservatorë, domethënë, duke imagjinuar që objektivat e Parisit të Kombeve të Bashkuara, të cilat tani nuk merren parasysh, për uljen e emetimeve të dëmshme të dioksidit të karbonit të respektohen.
Një skenar pesimist i emetimeve të vazhdueshme me ritmin aktual, nga ana tjetër, bën që popullata e prekur të rritet së paku nga përmbytjet e vazhdueshme deri në 340 milion në 2050 dhe 630 milion në fund të shekullit. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.