Paralajmëron Carney – Nuk është koha për rritjen e normës së interesit, paundi bie

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha se nuk është ende koha të nisë tkurrja monetare, për shkak të rritjes së ngadaltë të pagave dhe goditjes së mundshme të të ardhurave ndërkohë që Britania përgatitet të dalë nga Bashkimi Europian.
Carney tha se në varësi të progresit të bisedimeve, bizneset duhet që të aktivizojnë së shpejti planet e tyre emergjente.
“Politikat monetare nuk mund të parandalojnë rritjen e ngadaltë të pagave reale, që do të vijë me tranzicionin drejt marrëveshjeve të reja tregtare me Bashkimin Europian”, tha Guvernatori.
Javën e kaluar, 3 prej politikëbërësve të Bankës së Anglisë votuan papritmas për një rritje të normës bazë të interesit.
Carney votoi që ta mbajë normën e interesit në një nivel rekord të ulët prej 0.25%.
“Duke parë dobësinë e shpenzimeve konsumatore dhe investimet e bizneseve, nuk është ende koha për të nisur normalizimin e politikave”, tha Carney.
Guvernatori theksoi gjithashtu rëndësinë e liberalizimit të tregtisë, veçanërisht në shërbimet financiare, dhe shtoi se është e pasigurt nëse deficiti i madh i llogarisë korrente të Britanisë është në një ritëm të qëndrueshëm.
Paundi ra kundër valutave kryesore pas komenteve të Mark Carney. Kundrejt dollarit amerikan, paundi ra nga 1.2760 në 1.2670.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.