Paralajmëron FMN: Lufta tregtare po rëndon mbi ekonominë globale
Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se duhet më shumë punë për të reduktuar pabarazitë globale të tregtisë dhe tensionet tregtare në rritje, duke lëshuar një paralajmërim se konflikte të tilla po ngadalësojnë ekonominë globale.
“Është e domosdoshme që të gjitha vendet të shmangin politikat që shtrembërojnë tregtinë”, tha FMN në raportin vjetor të sektorit të jashtëm të publikuar të mërkurën në Uashington. “Në kushtet e rritjes së tensioneve tregtare, nevojitet një politikë emergjente për trajtimin e pabarazive të tepërta”.
Raporti vjen pasi Fondi me qendër në Uashington përballet me një rritje të proteksionizmit në mbarë botën që shihet duke zvarritur rritjen e ekonomisë globale, me ngadalësimin e rezultateve në ekonomitë e mëdha nga Kina në Evropë dhe Meksikë.
Edhe pse lufta tregtare e SHBA me Kinën është ftohur me një armëpushim të kohëve të fundit për shkak të bisedimeve, ekonomia e dytë më e madhe në botë është ngadalësuar nga tarifat e Presidentit Donald Trump. Qeveria e Kinës tha këtë javë se ekonomia është në ritmin më të dobët që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave tremujore në vitin 1992, duke theksuar efektet e mosmarrëveshjes tregtare në vazhdim me SHBA.
“Vendet duhet të përmbahen nga përdorimi i tarifave për të synuar bilancet e tregtisë dypalëshe, pasi ato janë të kushtueshme për tregtinë globale, investimet dhe rritjen, dhe në përgjithësi nuk janë efektive në reduktimin e pabarazive të jashtme”, tha raporti i FMN.
Burimi: Bloomberg
DOSTI BANUSHI – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.