Paralajmëron OKB – “2 miliardë pacientëve u mungon uji i pastër në spitale”
Mbi 2 miliardë njerëz në të gjithë botën përdorin objekte të shëndetësisë që u mungojnë shërbimet bazike të ujit, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas raportit, 1 në 4 spitale kanë mungesë në shërbimet bazike të ujit, ndërsa në vendet e varfëra, kjo normë shkon në 50%. Mungesa e aksesit në ujë të pastër vë në rrezik jetën e nënave dhe të sapolindurve.
Organizata e Kombeve të Bashkuara theksoi se më shumë se 1 milionë vdekje në vit ndodhin për shkakun e kushteve jo të përshtatshme gjatë lindjes, ndërkohë që norma e infeksionit për të gjithë pacientët shkon në 15%. Bruce Gordon, koordinator i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se spitalet janë kthyer në qendra të infeksionit.
“Ka prova nga statistikat që po shohim. Pra, nëse shkon në një qendër të kujdesit shëndetësor, ekziston mundësia që 15% e pacientëve të marrin infeksion. Numri i vdekjeve që lidhen me papastërtitë për nënat dhe të sapolindurit, arrin në 1 milionë në vit.”
Sipas të dhënave, vendet në Afrikën Perëndimore kanë përqindjen më të ulët të aksesit në ujë dhe higjienë publike. Liderët botërorë kanë caktuar objektiv aksesin në ujë të pastër dhe higjienë publike, deri në vitin 2030.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.