Parandalimi dhe goditja e krimeve mjedisore – Policia procedon penalisht 11 shtetas dhe sekuestron 5 automjete
Policia e Shtetit ka bërë me dije se janë evidentuar 11 raste të krimeve mjedisore, ku për rrjedhojë janë proceduar penalisht 11 shtetas, si dhe janë sekuestruar rreth 25 metër kub lëndë drusore dhe 5 automjete që shërbenin për transportim.
Sipas njoftimit strukturat e DVP Dibër, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit , gjatë 20 ditëve të para të muajit Shtator, kanë evidentuar dhe goditur 11 raste, ku janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
V.C., B. S., B. G., N. C., K. M., banues në Dibër, dhe F. M., banues në Mat, pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar objekte, pa lejen e organeve përkatëse.
Gjithashtu ka filluar procedimi penal për shtetasit :
B.XH., G. N., banues në Bulqizë; L. L., XH. F., SH. B., banues në Dibër, pasi janë kapur nga Policia duke transportuar lëndë drusore, pa dokumentacionet përkatëse.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë Dibër dhe Mat për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”.
Policia e Dibrës bën me dije se do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.