Parashikimet e OBT për tregtinë botërore – “Shpërndarja e pabarabartë e vaksinave po përkeqëson pabarazitë ekonomike”

Tregtia globale e mallrave pritet të rritet me 10.8 përqind në vitin 2021 dhe 4.7 përqind në 2022, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Raporti nënvizon se, tregtia globale u rrit 22 përqind në bazë vjetore në tremujorin e dytë të vitit 2021, por norma e rritjes pritet të bjerë në 6.6 përqind në tremujorin e katërt. OBT gjithashtu parashikoi që produkti i brendshëm bruto global do të rritet me 5.3 përqind në vitin 2021 dhe 4.1 përqind në 2022.
Rritja e tregtisë globale të mallrave në vitin 2021 reflektoi recesionin në tregtimin e mallrave në vitin e kaluar, vuri në dukje OBT. Përveç kësaj, mbeten rreziqe, siç janë tendosjet në zinxhirët e furnizimit global dhe pandemia e koronavirusit.
Për më tepër, dallimet rajonale do të mbeten të mëdha. Importet nga rajoni i Azisë pritet të rriten me 9.4 përqind në vitin 2021 në krahasim me vitin 2019, ndërsa importet nga vendet më pak të zhvilluara do të ulen me 1.6 përqind. Rimëkëmbja në shërbime ka të ngjarë të mbetet prapa asaj në mallra, veçanërisht me industritë e lidhura me turizmin.
Drejtori i Përgjithshëm i OBT-së Ngozi Okonjo-Iweala vuri në dukje se shpërndarja e pabarabartë e vaksinave COVID-19 po përkeqëson pabarazitë ekonomike rajonale, dhe sa më gjatë të vazhdojë kjo, aq më shumë mundësi ka që të shfaqen variante më të rrezikshme të koronavirusit, duke penguar më tej përparimin në fushat e shëndetit dhe ekonomisë.
Përpara Konferencës së 12-të Ministrore të OBT-së të planifikuar për t’u zhbilluar nga 30 nëntori deri më 3 dhjetor, Iweala u bëri thirrje anëtarëve të organizatës që të punojnë së bashku për të adresuar pandeminë dhe për të hedhur themelet për prodhimin më të shpejtë dhe shpërndarjen e barabartë të vaksinave, të cilat janë të nevojshme për një rimëkëmbje ekonomike globale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.