Parashikimet për rritjen ekonomike – Malaj: Rritja 3.8% e rëndësishme por jo e mjaftueshme, duhet punësim
Rritja ekonomike në vend duhet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe reduktimit të varfërisë. Kështu ka deklaruar për televizionin SCAN specialisti i ekonomisë Arben Malaj.
Lidhur me parashikimin e qeverisë për një rritje ekonomike deri në 5% në mandatin e dytë, Malaj tha se për të pasur një rritje të tillë duhet të ketë investimeve publike të kujdesshme.
“Qeveria ka deklaruar dhe ne presim formatimin e qeverisë së re dhe objektivat e saj konkrete që të kemi një rritje që shkon deri në 5% gjatë mandatit të dytë. Sigurisht që rritjet deri në 5% janë rritje të cilat po të bazohen në investime publike të kujdesshme mund të shoqërojnë me një rritje të lartë të punësmit. Dhe problemi ka qenë a mjafton vetëm rritja ekonomike. Vetëm rritja ekonomike nuk mjafton, ky ka qenë debati i fundit i bërë në forumin e guvernatorëve të bankave qendrore pak kohë më përpara, ku u diskutua pikërisht se si duhet ushqyer rritja ekonomike e një vendi që të jetë më e lartë, të ketë një trend të vazhdueshëm rritjeje pozitive dhe të jetë më e drejtë nga pikëpamja sociale, pra, nga rritja ekonomike të përfitojnë më shumë njerëz. Kjo arrihet nëpërmjet rritjes së punësimit dhe reduktimit të varfërisë”, u shpreh Malaj.
Duke iu referuar parashikimeve të Bankës së Shqipërisë dhe agjencisë së vlerësimit “Moody’s”, e cila e ka rritur vlerësimin për 2018-ën për një rritje ekonomike deri në 3.8% të ekonomisë nga 3.6% që parashikonte pak kohë më parë, Malaj u shpreh se është e rëndësishme kjo rritje por jo e mjaftueshme .
“Të gjithë biem dakord që rritja ekonomike aktuale është më e lartë se vende të tjera të rajonit, por nuk është ajo që meriton ekonomia shqiptare. Pasi përballë sfidave që kemi ne për të rritur të ardhurat për frymë të popullatës, se vazhdojmë të konsiderohemi një nga vendet më të varfra edhe në Ballkan, përballë sfidës për ta luftuar papunësinë dhe varfërinë, sigurisht që rritja ekonomike është një faktor i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm”, tha Malaj.
Raporti i agjencisë prestigjioze “Moody’s” i cili flet për një rritje të ekonomisë në vendin tonë, i bashkohet projeksioneve të kryera nga një sërë institucionesh ndërkombëtare përfshirë edhe Komisionin Evropian.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.