Paratë nuk e sjellin lumturinë…sporti PO!

Dëshiron të jesh i lumtur? Lëri paratë dhe pasurinë mënjanë dhe nis të vraposh. Ky është rezultati i një studimi të realizuar sëfundmi nga kërkuesit e universiteteve të Yale e Oxford, që evidentojnë se si impakti pozitiv i sportit në humorin tonë është më i lartë sesa ajo që mund të ofrojë pasuria materiale.
Kërkimi, i publikuar sëfundmi në “The Lancet” ka përfshirë 1 milionë e 200 mijë qytetarë amerikanë të cilëve u është dhënë një formular në të cilin u kërkohej të përgjigjeshin se sa herë ishin ndjerë të trishtuar, depresivë ose të stresuar në 30 ditët e fundit. Pjesëmarrësve u janë dhënë gjithashtu pyetje për sasinë dhe cilësinë e aktivitetit fizik që kryenin dhe mbi situatën ekonomike personale.
Nga të dhënat e përpunuara rezulton se ata që bëjnë rregullisht aktivitet fizik ndjehen poshtë me humorin apo të pamotivuar 35 ditë në vit kundrejt 53 ditëve të atyre që nuk kryenin aktivitete fizike dhe bënin jetë sedentare. Po sipas këtij studimi, një person inaktiv arrin të njëjtin nivel lumturie të një atleti atëhere kur ka fituar të paktën 25 mijë dollarë në vit ose më shumë.
Duket se për dashamirësit e divanit çmimi i lumturisë është më i lartë sesa kostoja e një abonimi në një palestër prestigjioze ose e një veshje vrapimi të brezit të fundit…
I njëjti studim dëshmon se ka lidhje mes lumturisë dhe numrit të orëve të kaluara në trajnim. Sipas kërkuesve, përfitimi më i madh merret kur bëhen 3-5 seanca stërvitore në javë, me kohëzgjatje 30-60 minuta. Por a ka ndonjë sport që ndikon më shumë se të tjerët në mirëqënien mendore? Për shkencën më efikase janë sportet në skuadër edhe pse shpirti konkurrues mund të të çojë në debate e diskutime me shokët e skuadrës apo kundërshtarët.
Burimi Focus/Përshtati në shqip:SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.