Parisi, në “alarm maksimal”. Më shumë masa kundër Covid-19. Numri i rasteve rritet ndjeshëm
Parisi dhe lagjet periferike janë vendosur në “alarm maksimal” në nisje të Javës, ndërkohë që rastet me koronavirus në qytet janë rritur ndjeshëm. Baret në kryeqytetin francez do të mbyllen ditën e Martë, sipas masave të reja të kufizimeve që janë projektuar të ndalojnë përhapjen e virusit. Megjithatë, restorantet do të qëndrojnë të hapura me “masa të përforcuara”. Kjo pritet të zgjasë të paktën 15 ditë.
Ministrja e punës, Elisabeth Borne i kërkoi njerëzve në zonat e ndikuara që të punojnë nga shtëpia, nëse është e mundur. Franca raportoi rreth 17,000 raste të reja ditën e Shtunë dhe 12,565 të tjera të Dielën, ç’ka e çoi numrin total të rasteve në 629,509, sipas të dhënave të John Hopkins.
Parisi është vendosur në alarm maksimal pasi shkalla e incidencës kaloi 250 infeksione për 100,000 banorë. Alarmi maksimal aktivizohet gjithashtu kur plotësohen 2 kritere të tjera; kur norma e incidencës tek ata mbi 65 vjeç është sipër 100 për 100,000 banorë dhe kur të paktën 30% e shtretërve në njësitë e kujdesit intensive janë rezervuar për pacientët e Covid-19. Franca është përpjekur të përmbajë një valë të dytë të koronavirusit që nisi në Gusht. Qyteti i dytë më i madh i vendit, Marseja, zonat periferike si dhe territoret në det të Guadaloupe, janë vendosur gjithashtu në protokollin e alarmit maksimal në 2 javët e fundit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.