Park i ri në Tiranë – Veliaj, apel bizneseve: Kontribuoni për mbjelljen e pemëve

Një hapësirë prej 11 mijë m2, e cila deri pak kohë më parë shërbente si vendgrumbullim për mbetjet urbane, po shndërrohet në një park të ri natyror në Tiranë, ku përveç gjelbërimit, do të ketë hapësira të posaçme çlodhëse për të gjitha grupmoshat.
Bashkia e Tiranës nisi punën për transformimin e kësaj zone që ndodhet midis rrugëve “Ali Beshiri” dhe “Dervish Luzha”, duke kaluar tashmë në një fazë të re, atë të ndërtimit të parqeve nëpër lagje.
“Sot kemi kaluar në një pjesë tjetër të qytetit, ku ka nevojë për gjelbërim. Tani që po i afrohemi stinës së dimrit dhe koha është e përshtatshme për të mbjellë, po i shtrijmë aksionet tona si brenda qytetit në zona urbane si kjo, ashtu edhe në periferi, si te Parku i Liqenit, i Farkës dhe i Kasharit. Sapo kemi pastruar një territor i cili ka qenë një lloj landfilli informal për gjithë zonën e rrugës “5 Maji”. Madje, sa herë kemi organizuar aksione pastrimi, kjo hapësirë ka qenë një nga pikat e nxehta dhe më problematike të qytetit. Kemi hequr plehrat, po bëjmë gjithë sistemimin e terrenit, ndërsa sot filluam me mbjelljen e 750 pemëve, për t’i shtuar një tjetër park qytetit. Po ta shikoni si hapësirë, do të konsiderohej një park mesatar, pra jo një park i vogël, çka na jep mundësi që të kemi jo vetëm gjelbërim, të kemi ambiente për të moshuarit, kënd lojërash për fëmijët”.
Kryetari i Bashkisë deklaroi se operacioni i mbjelljes së pemëve të reja do të vijojë deri në mars për t’i lënë vendin më pas aksionit masiv për Pyllin Orbital. Në këtë kuadër, kryebashkiaku Veliaj ftoi bizneset dhe qytetarët që të kontribuojnë në shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, të cilët do të përmirësojnë cilësinë e jetës së gjithë komunitetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.