Parking nëntokësor edhe tek sheshi “Italia” pranë stadiumit kombëtar – Do të kushtojë 2.5 milionë euro

Problemi i trafikut dhe parkimit në ditët kur kombëtarja luan në Tiranë , Bashkia duket se do t’i zgjidhë me një parkim nëntokësor në sheshin pranë stadiumit të ri kombëtar.
Parkingu tek Sheshi Italia pritet t’i kushtojë qytetit rreth 2.5 milionë euro, ndërsa ndërtimi i tij do të kërkojë 12 muaj kohë, çka do të thotë se do të jetë gati në kohë për ndeshjet kualifikuese të Euro 2020.
Parkimi nëntokësor do të përbëhet nga 2 kate parkimi, ku në katin -1 do të jenë 92+2 vende për automjete, ndërsa në katin -2 janë parashikuar 104 poste parkimi, pra për një total prej 198 vendesh. Këto vende parkimi i shtohen kështu atyre të parkimit ekzistues në këtë shesh.
Sipërfaqja e të dy kateve është nga 3,587 metra katrorë, ndërsa pas parkimit, drejtuesit e automjeteve do të mund të ngjiten me 1 ashensor që do të instalohet, ose përmes shkallëve.
Pas përfundimit, ky do të jetë parkimi i tretë nëntokësor në Tiranë, pas atyre në “Sheshin Skënderbej” dhe Bulevardin e Ri. Deri në fund të muajit Tetor, këto dy parkime kanë shitur rreth 86 mijë bileta, për një vlerë prej të paktën 26 milionë lekësh.
A.H./SCAN
Parkingjet e Bashkisë, në Tetor mbi 52 mijë bileta të shitura – 61 mijë euro të ardhura vetëm nga sheshet
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.