Parku i liqenit artificial – 170 vullnetarë të huaj e shqiptarë, aksion pastrimi

Më shumë se 170 vullnetarë të huaj e shqiptarë, pjesë e Korpusit të Paqes u angazhuan sot, në një mision vullnetar për pastrimin e Parkut të Liqenit. Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili theksoi se një qytet, pavarësisht mundësive që ka për menaxhimin e punëve publike, ka gjithmonë nevojë për akte të tilla vullnetarizmi.
“Për herë të parë sot pashë që vullnetarëve amerikanë iu ishin bashkuar edhe shumë të rinj të qytetit të Tiranës, për të kuptuar që vullnetarizmi nuk është një çështje e mirëqenies ekonomike, por është një çështje e gjendjes tënde shpirtërore dhe e gjendjes tënde mendore, si qytetar i mirë. Ndaj, më vjen mirë që për herë të parë pas kaq vitesh shikojmë një balancë midis vullnetarëve që janë të huaj, amerikanë dhe vullnetarëve tanë shqiptarë”, tha kryebashkiaku.
Veliaj bëri të ditur se në stinën e vjeshtës do të ndërmerret një tjetër aksion për mbjelljen e 50 mijë pemë të reja, jo vetëm në Parkun e Tiranës, por edhe në Parkun e Farkës dhe të Kasharit. Kjo sipas Veliajt do të ndihmojë afrimin e projektit të pyllit orbital, kur deri në vitin 2030 të jenë mbjellë 2 milionë pemë në total.
“Kur të afrojë stina e vjeshtës dhe e dimrit, që është koha perfekte për të mbjellë pemët, do të donim që të bënim organizime të tilla për fushata të mbjelljes. Duam që këtë vit të mbjellim 50 mijë pemë të reja, jo vetëm në Parkun e Tiranës, por edhe në Parkun e Farkës dhe të Kasharit dhe do të gjejmë një mënyrë se si duke inkurajuar vullnetarizmin edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë prej vullnetarëve shqiptarë që fatmirësisht janë shtuar, të kemi mundësi që të kemi një stinë fantastike mbjelljeje”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.