Parku i Liqenit Artificial të Tiranës do të survejohet me kamera – Ja 6 pikat ku do të vendosen

Agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit ka hapur garën publike për kontratën ”Sisteme vëzhgimi dhe kontrolli me kamera për Info Points”, për të cilën fondi limit është caktuar në 1 milion e 205 mijë lekë.
Bëhet fjalë për 18 kamera, të cilat do të pozicionohen në 6 pikat kryesore të hyrjes në parkun e kryeqytetit, si dhe në zona të veçanta të parkut.
Konkretisht, do të vendosen nga kamera të afta për të regjistruar si ditën, edhe natën në hyrjet në dy anët e digës, në hyrjen nga sheshi ‘Frederyk Chopin’, në hyrjen pranë rrugës së ‘Elbasanit’ dhe në hyrjen pranë Shkollës ‘Willson’.
Kamerat do të lidhen me fibra optike nëntokësore, të cilat do të transferojnë trafikun audioviziv drejt APR. Materiali do ruhet nga ky drejtori në 2 hard disqe me kapacitet të përbashkët 8 Terabyte.
Së bashku me 18 kamerat dhe dy hard disqet, APR kërkon nga ofertuesit edhe 1 regjistrues video të rrjetit me 16 kanale, 6 kilometra kabull fibre optike, 300 metra kabull RJ45, 12 pajisje konvertuese dhe 18 shtylla dhe kabineta për ushqimin e kamerave.
Nga kompanitë që plotësojnë kriteret e vendosura nga kjo agjenci, do të përzgjidhet fituese pas datës 17 Gusht ajo kompani që ka bërë ofertën me çmimin më të ulët.
Pas shpalljes së kompanisë fituese, kjo e fundit do të ketë 45 ditë kohë për të kryer procesin e instalimit të kamerave, konfigurimit të programeve dhe trajnimin e personelit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.