Parku Kombëtar i Dajtit – Rriten të ardhurat nga turizmi, deri në 15% më shumë se në 2016

Rritja e numrit të turistëve që vizitojnë parkun Kombëtar të Dajtit ka çuar në gjenerimin e më shumë të ardhurave nga 10 deri 15% më shumë se një vit më parë. Në një intervistë për televizionin SCAN, drejtori i administratës së zonave të Mbrojtura në Tiranë, Ilir Vishkurti deklaron se kjo zonë ka qenë më e preferuara për turistët. Vetëm për periudhën Janar-Gusht janë siguruar rreth 800 mijë lekë të reja nga turizmi në këtë zonë.
“Pikat hyrëse në Parkun Kombëtar të Dajtit janë dy: është rruga auto dhe teleferiku, që ofron një udhëtim në drejtim të këtij parku. Mund të them që vizitorët që futen nga postblloku, siç e quajmë ne, në momentin që flasim është rreth 6 mijë vizitorë. Deri në fund të vitit ne parashikojmë të shkojmë rreth 10 mijë vizitorë. Në këtë moment që flasim, vizitorët që janë ngjitur me teleferik janë rreth 70 mijë turistë vendas dhe të huaj. Të ardhurat që janë mbledhur janë deri në 800 mijë lekë”, tha Vishkurti.
Sa i takon të ardhurave që gjenerohen çdo vit nga turizmi në parkun Kombëtar të Dajtit, Vishkurti sqaron se këto të ardhura shkojnë për investime për ta bërë këtë një zonë më tërheqëse për turistët.
“Këto të ardhura kalojnë në një llogari të ministrisë së mjedisit, e cila më vonë i akordon këto në investime të ndryshme në zona të mbrojtura të Tiranës, ose edhe të qarqeve të tjera”, u shpreh ai.
Ajo që vihet re gjatë këtij sezoni turistik, sipas drejtorit të administratës së zonave të Mbrojtura në Tiranë, është se numri i turistëve të huaj është më i lartë se ai vendas, të cilët zënë vetëm 20% të numrit në total. Parku kombëtar i Dajtit është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 1966 dhe nuk është i vetmi atraksion turistik në këtë qark, pasi shumë turistë këtë vit kanë zgjedhur të vizitojnë edhe Shpellën e Pëllumbasit apo atë të Valit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.