“Parlamentaret 2017”, deklaratë e përbashkët nga Mogherini dhe Hahn: Zgjedhjet në Shqipëri të qeta dhe të rregullta

Në një deklaratë të përbashkët, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn kanë reaguar për zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Në këtë deklaratë thuhet se “ Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, më 25 qershor u zhvilluan në një mënyrë të qetë dhe të rregullt. Sipas konkluzioneve paraprake të misionit të Vëzhguesve Zgjedhorë të OSBE/ODIHR, subjektet zgjedhore zhvilluan lirisht fushatën. Liritë themelore të grumbullimit dhe shprehjes u respektuan. Korniza zgjedhore në përgjithësi siguroi një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Ne marrim parasysh rezervat e shprehura nga vëzhguesit lidhur me politizimin e organeve zgjedhore dhe zbatimin në kundërshtim me ligjit”, thuhet në deklaratë.
Dy përfaqësuesit e lartë të BE u shprehen se: “Pasi të përfundojë procesi zgjedhor, do të angazhohemi me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE. Vazhdimi i reformës së drejtësisë, lufta kundër trafikut të drogës dhe kultivimit do të jetë e një rëndësie të veçantë në këtë drejtim. Ne gjithashtu presim të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë, për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në deklaratën e Mogherinit dhe Hahn.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.