Parqet fotovoltaikë – Tjetër kërkesë pranë MEI, investim 1.7 milion euro

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka miratuar aplikimin për ngritjen e një parku fotovoltaik në zonën e Fierit, duke mundësuar prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme.
Sipas këtij dikasteri, interesi është shprehur nga shoqëria “2FAF” Sh.P.K. dhe parashikon ndërtimin e një parku fotovoltaik, me kapacitet 2 MW.
Investimi pritet të kapë vlerën 1.7 milion euro dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 26.400 m2, në fshatin Jagodinë, të Bashkisë Roskovec. Ndërkaq, sikurse parashikon legjislacioni në fuqi, personat e interesuar kanë 15 ditë afat për të shprehur kundërshtimet e tyre rreth këtij projekti.
Prodhimi i energjisë nga dielli po shihet me një interes në rritje, duke qenë se vetëm për periudhën prill-korrik të këtij viti pranë Ministrisë së Energjisë janë paraqitur 8 kërkesa. Por, aktualisht ende nuk ka një park fotovoltaik funksional, duke qenë se vetëm Ujësjellësi i qytetit të Korçës ka instaluar panele diellore, duke prodhuar energji për të plotësuar nevojat e veta.
Diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është kërkuar me ngulm nga ekspertët, duke e cilësuar si mundësi jo vetëm për prodhimin e energjisë, por edhe si nxitje për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit.
Pak kohë më parë, edhe Ministria e Energjisë nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me qëllim nxitjen e investimeve të qëndrueshme për gjenerimin e energjisë diellore.
Memorandumi parashikon zhvillimin e projekteve në Shqipëri përmes një sistemi me ankand, duke rritur ndjeshëm interesin ndaj investimeve në këtë drejtim e për rrjedhojë reduktimin e varësisë që ka vendi ynë nga importi i energjisë dhe energjia hidrike.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.