Pas daljes nga BE, Britania ndryshon edhe pasaportat

Që pasi votuan për të dalë nga Bashkimi Europian, britanikët kanë qenë të fiksuar me ridizajnimin e pasapartës së tyre.
Dizajnerë të ndryshëm kanë kontribuar me idetë e tyre për të përmirësuar dokumentin që përfshihet te simbolet e shtetit dhe i cili është provë e identitetit kombëtar.
Një nga propozimet e bëra, kërkon rikthimin në ngjyrën blu të errët, e cila u përdor për 70 vjet para se të kalonin në 1988-ën në ngjyrën e kuqerremtë që përdoret në BE.
Vitin e kaluar, “the Sun” i kërkoi qeverisë të rikthente pasaportat e vërteta, ato blu, të cilat do të shprehnin edhe njëherë krenarinë e të qenit një komb tërësisht i pavarur.
Tashmë, blogu i specializuar tek dizajni me qendër në Londër, Dezeen, kërkon të rikonceptohet identiteti i dokumentit përtej thjesht ngjyrës.
“Pasaportat zakonisht dizajnohen nga stafi i brendshëm në kompanitë e mëdha të kontraktuara për të prodhuara dokumente serioze. Ndaj të gjitha pasaportat ngjajnë me njëra-tjetrën”, thotë Robbie Wallace i Dezeen.
Vetëm shtatë muaj para referendumit të Brexit, qeveria prezantoi atë që e cilësoi si pasaportën më të sigurt në botë. Por me gjithë elementët e sigurisë, shumë qytetarë të apasionuar pas dizajnit kanë mbetur të zhgënjyer.
E ashtuquajtura “katrahura shumë britanike”, përmban një numër shumë të madh simbolesh britanike, si dhe përfshin një numër të madh artistësh britanikë nëpër faqet e saj, duke anuar me shumicë të theksuar nga meshkujt.
Redaktorët e Dezeen, përmendën pasaportat zvicerane dhe norvegjeze si shembujt më të mirë të një grafike me shije.
“Dizajni i pasaporta ka një potencial të madh për të qenë komunikuese e mirë e identitetit. Kjo është shumë e rëndësishme në Britani tani, ku vota për të dalë nga BE, e ka ngritur identitetin kombëtar në ajër”, thotë Wallace.
Dezeen thekson se konkursi i tyre për dizajnin e pasaportës është thjesht një eksperiment, pasi Zyra e Pasaportave zakonisht zgjedh përmes tenderave dizajnin edhe printimin, ndërsa ndryshimet bëhen çdo pesë vjet.
Çmimi i madh është 1 mijë paund dhe konkursi është i hapur për dizajnerë nga e gjithë bota.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.