Pas heqjes së tarifave roaming, BE planifikon wireless falas në çdo qytet

Çdo qytetar që udhëton në vendet e Bashkimit Europian duket se së shpejti nuk do të ketë nevojë për të aktivizuar paketat roaming, pasi do të ketë akses të lirë në internet.
Parlamenti Europian, Këshilli dhe Komisioni arritën në mbrëmjen e së hënës një marrëveshje politike për iniciativën WiFi4EU, ose WiFi për Europën.
Financimi i kësaj iniciative do të mundësojë instalimin e pikave falas të internetit wireless në një sërë komunitetesh lokale të shpërndara në vendet e BE: nëpër sheshe, nëpër parqe, spitale dhe hapësira të tjera publike.
Sipas Presidentit të Komisionit Jean-Claude Juncker, kjo do të kontribuojë që “deri në vitin 2020 çdo fshat dhe qytet të ketë akses të lirë interneti në qendrat kryesore të jetës publike”.
Aktualisht një numë i konsiderueshëm bashkish ofrojnë një shërbim wireless falas, por një fond prej 120 milionë eurosh do të zgjeronte shtrirjen e internetit në 8 mijë bashki dhe komuna. Çdo bashki e interesuar për të marrë fonde, do të mund të aplikojë për grante përmes një procedure “të thjeshtë dhe joburokratike”.
Kjo iniciativë është pjesë e projektit ambicioz për shndërrimin e rregullave të telekomunikacionit në Europë, që synon të plotësojë kërkesat e popullsisë për të qenë të lidhur me këto rrjete.
Më 15 Qershor ndërkohë, hyn në fuqi vendimi për heqjen e tarifave roaming, si dhe përdorimin e lirë të përmbajtjeve audiovizuale të blerë ose përfituar në një vend tjetër të BE.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.