Pas Kinës dhe Meksikës, tani Franca / Trump: Tarifat e verës franceze “jo të drejta”
Shampanja dhe Merloti mund të pësojnë rritje në çmim pasi Presidenti Trump la të kuptohet se mund të rrisë tarifat për verërat franceze.
“Nuk është e drejtë,” tha Trump, duke iu referuar tarifave më të larta të BE-së për verërat amerikane sesa anasjelltas. “Ne do të bëjmë diçka për këtë.”
Tarifat e BE-së vendosin nga 11 deri në 29 centë për shishe standarde prej 750 mililitër të verës amerikane, ndërsa SHBA ngarkon 5 cent për të importuar të njëjtën vëllim të verës dhe 14 cent për verën e gazuar, sipas Institutit të Verës në Kaliforni.
Meqenëse Amerika është tregu më i madh për verërat e BE-së, tarifat e SHBA mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në vreshtat evropiane. SHBA importonte një të tretën e të gjitha verërave nga BE në vitin 2017, ndërsa verërat amerikane përbënin vetëm 16% të verërave të importuara në BE, sipas Eurostat.
“Franca bën verë të shkëlqyer, por po kështu edhe SHBA-ja. Problemi është se Franca e bën shumë të vështirë për SHBA-në të shesë verërat e saj në Francë dhe paguan tarifa të mëdha, ndërsa SHBA-ja e bën të lehtë për verërat franceze dhe ka një tarifë shumë të vogël, jo e drejtë, duhet të ndryshojë! “- u shpreh presidenti Trump në Twitter
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.