Pas protestave të vazhdueshme qeveria serbe anulon minierën e planifikuar të litiumit!
Në përpjekje për të zbutur protestat e mëdha të ambientalistëve, qeveria populiste e Serbisë vendosi të anulojë të gjitha licencat për gjigantin e minierave Rio Tinto për të hapur një minierë litiumi pranë qytetit të Loznicës në perëndim të vendit.
Për disa fundjavë, mijëra demonstrues në Beograd dhe qytete të tjera serbe kanë bllokuar rrugët kryesore dhe urat për të protestuar kundër minierës së planifikuar në Serbinë perëndimore, pavarësisht një fushate frikësimi nga autoritetet.
Kundërshtarët thonë se projekti do të shkaktonte dëme të rënda mjedisore.
Litiumi, i gjetur me bollëk përgjatë kufirit serb me Bosnjën, konsiderohet si një nga metalet më të kërkuar të së ardhmes, ndërsa bota po kalon drejt burimeve më të rinovueshme të energjisë.
Protestat, të cilat theksuan gjithashtu problemin në rritje të ndotjes në vendin e Europës Juglindore, përbënin sfidën më të madhe ende për sundimin gjithnjë e më autokratik të presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili i ka denoncuar bllokadat e rrugëve si të paligjshme dhe pretendon se ato po financohen nga jashtë për të destabilizuar vendin.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.