Pas QSUT-së, hapet në Durrës Njësia e Senologjisë – Manastirliu: Do të shmangë sorollatjet e pacientëve
Është përuruar sot Njësia e Senologjisë në spitalin e Durrësit ku do të ofrohet për herë të parë shërbimi i plotë për sëmundjet e gjirit. E pranishme në ceremoninë e inaugurimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se me ngritjen e kësaj njësie tashmë shmangen sorollatjet e pacientëve drejt QSUT-së, e cila mbetet një qendër reference për të gjithë vendin.
“Ngritja e Njësisë së Senologjisë në spitalin e Durrësit, e para në një spital rajonal (pas QSUT) mundëson ofrimin e të gjithë ciklit të shërbimeve, 360 gradë, brenda këtij spitali, duke ofruar për herë të parë shërbimin e plotë afër vendbanimit për të gjithë qarkun e Durrësit, në mënyrë që gratë me kancer gjiri të mos kenë nevojë t’i drejtohen QSUT qoftë për konfirmimin e diagnozës apo për trajtimin e mëtejshëm të saj”, tha Manastirliu.
Njësia e re e Senologjisë në spitalin e Durrësit, e pajisur me të gjithë aparaturat e nevojshme, mundëson krijimin e një bërthame të re në fushën e Onkologjisë, e cila për herë të parë do të mundësojë një konsultë multifunksionale që do të përbëhet nga mjekë të specialiteteve të ndryshme: kirurg, kirurg onkolog, kirurg senolog, radiolog, onkolog kimioterapeut, anatomopatolog, punonjës social, psikolog, infermier të dedikuar.
Hapja e Njësisë së re të Senologjisë vjen në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kur shërbimi për diagnostikimin e hershëm të sëmundjes po ofrohet me orar të zgjatur, për t’ju dhënë mundësi sa më shumë grave të kryejnë ekzaminimin e gjirit në Tiranë dhe në 9 spitale rajonale.
Së bashku dhe me 2 mamografët e lëvizshëm shërbimi po ofrohet nga veriu në jug të vendit, duke e dyfishuar numrin e mamografive të kryera në rang kombëtar.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.