‘Pas shiut fillon ngrica dhe dëbora’ – SHMU publikon parashikimin javor të motit
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se dita e hënë dhe e martë do të vijojnë të mbeten nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar ndërsa në lartësinë mbi 700 metra në verilindje dhe në lartësinë mbi 900 metra në pjesën tjetër të vendit reshjet do të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët deri mesatar kryesisht pasdite dhe në mbrëmje.
Sipas njoftimit ditën e martë reshjet e borës me intensitet të ulët deri mesatar do zbresin në lartësinë 400-500 metra në veri-verilindje dhe në lartësinë mbi 600-700 metra në pjesën tjetër të vendit ndërsa gradualisht në mesditë reshjet e shiut dhe të borës do të ndërpriten në pjesën më të madhe të vendit duke mbetur prezente deri në orët e mbrëmjes në jug.
SHMU informon se dita e mërkurë do të jetë me mot të qëndrueshëm por të ftohtë kryesisht në orët e mëngjesit ndërsa ditën e enjte dhe të premte gradualisht pritet depërtimi i masave ajrore të paqëndrueshme.
Sipas informacionit reshje shiu të herëpashershme me intensitet mesatar do të ketë përgjatë vijës bregdetare dhe intensitet të ulët në pjesën tjetër të vendit ndërsa në lartësinë mbi 900 metra në veri-verilindje reshje bore me intensitet të ulët.
“Era do të fryjë nga veriperëndimi-jugperëndimi me shpejtësi mesatare 1-8m/sek, e cila hera-herës fiton shpejtësi deri në 15-20m/sek dhe në fushën termike deri ditën e mërkurë temperaturat pritet të pësojnë rënie graduale me e ndjeshëm ditën e parë të muajit Dhjetor,” shkruhet në njoftim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.