“Pas tenderëve, shkelje me planet e kontratave” – APP, apel institucioneve shtetërore: Duhen para nisjes së punimeve, po kryeni kundravajtje!

Institucionet shtetërore i hartojnë planet e zbatimit të kontratave për punë, mallra apo shërbimeve pas fillimit të zbatimit të saj”. Konstatimi vjen nga Agjencia e Prokurimit Publik, që thekson se ky plan, duhet të firmoset brenda 7 ditësh nga nënshkrimi i kontratës, por në çdo rast para fillimit të zbatimit të saj. Përmes një shkrese me datë 14 prill, drejtuar autoriteteve kontraktore APP sjell në vëmendje se shkelja e këtyre detyrimeve ligjore përbën kundra-vajte administrative.
Paralelisht, APP ka konstatuar se edhe formularë e planit të zbatimit të kontratës që dërgohen pranë këtij dikasteri nuk plotësohen me korrektësi, teksa thekson rëndësinë që ka ky proces në drejtim të monitorimit me përgjegjësi të zbatimit të kontratës. Këto konstatime vijnë pas një udhëzimi të Agjencisë së Prokurimit Publik, ku kërkohej hartimi i planit të zbatimit të kontratës, pas çdo tenderi të realizuar për punë, mallra apo shërbime.
Ky plan duhet të përfshijë çështjet organizative, afatet e përcaktuara, çështjet ekonomike, kushtet specifike teknike apo personat përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të kontratës. Udhëzimi jepte edhe shpjegime konkrete për hartimin e planit, sipas llojit të kontratave, ndërsa theksohej se institucionet shtetërore nuk mund të ndryshojnë kushtet e kontratave nga ato të përshkruara në dokumentet e tenderit dhe në ofertën fituese, pasi nuk kanë munguar rastet kur autoritetet kontraktore kanë parashikuar të tjera kushte në kontratë, nga ato të parashikuara në garat tenderuese.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.