Pas zjarreve, “mbërrijnë” tërmetet! Prençi: Periudhë me aktivitet të lartë sizmik, si para 50 vitesh

Pas zjarreve, emergjenca e pritshme në vendin tonë duket se do të jenë lëkundjet sizmike. Paralajmërimi është bërë nga kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, sipas të cilit vendi ynë rrezikohet nga kthimi i tërmeteve të vitit 1967, duke e klasifikuar periudhën shator 2017- fillim i vitit 2018-të, si periudhë me aktivitet të lartë sizmik.
“Pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm, së pari do të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjeve të tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur tërmetet e vitit ‘67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në Shqipëri në korridoret Elbasan- Tiranë, Shkodër-Dibër, Korçë etj.”, tha kreu i EC.
Ndërkaq, duke u ndalur te situata e zjarreve, Prençi kritikoi ashpër sistemin e monitorimit të vatrave të zjarrit në disa bashki, duke theksuar se njoftimet nuk janë bërë në kohë, çka ka sjellë rrezikimin e objekteve shtetërore dhe zonave të mbrojtura.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme , kanë nisur lëkundjet e para në rajonin e Elbasanit, kryesisht në Qukës. Do t’i lutemi Zotit të mos ketë pasoja por ne duhet të jemi të përgatitur sepse ekziston rreziku i tërmeteve në 2017 dhe në fillim të 2018 siç parashikohet dhe nga Gjeoshkenca”, u shpreh Prençi.
Referuar raportimeve të Institutit të Gjeoshkencave, Prençi tha se situata e rënduar me zjarret do të vazhdojë deri në mesin e muajit shator. Për këtë arsye ai kërkoi rritje të përgjegjshmërisë për të vrojtuar e raportuar në kohë e më pas për të reaguar në marrjen e masave.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.