Pasojat e Brexit – 32% e biznesit do shkurtojnë investimet, një pjesë do largohet
Një e treta e kompanive europiane projektojnë që të shkurtojnë investimet si pasojë e pasigurive që burojnë nga Brexit, ndërkohë që një e dhjeta e atyre që aktualisht operojnë në Mbretëri planifikojnë të largohen nga ishulli, tregon një anketë e fundit e bankës zvicerane UBS.
Thuajse gjysma e kompanive europiane ndërkohë deklarojnë se, dalja e mbretërisë nga unioni nuk do të ndryshojë asgjë në planet e tyre të investimit. 24% e tyre planifikojnë të shkurtojnë disi shpenzimet, ndërkohë që 8% prej tyre thonë se do të ulin në mënyrë drastike investimet si pasojë e Brexit.
Pjesa dërrmuese e atyre që do të kryejnë shkurtime, planifikojnë ti bëjnë këto shkurtime në harkun e 6 dhe 12 muajve të ardhshëm. 74% e kompanive të anketuara nga banka zvicerane ndërkohë kanë në njëfarë mënyre operacione me Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë që, një e dhjeta e tyre deklaron se, do të shpërngulet nga ishulli, 31% deklaron se do të shpërngulë një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit, por jo plotësisht.
Një e pesta deklaron se, nuk do të shpërngulen dhe vetëm 3% se do të rrisin aktivitetin e tyre. Vendet e Eurozonës janë në vend të parë të destinacioneve të preferuara të atyre që do shpërngulen, ndërkohë që 30% e tyre zgjedhin Europën Qendrore dhe Lindore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.