Pasojat e Brexit, KE: Do të ketë ndikim negativ në industrinë e aviacionit
Komisioni Europian bën të ditur se Brexit do të ndikojë negativisht industrinë e aviacionit, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian po negociojnë ende kushtet përfundimtare të divorcit.
Sipas drejtorit të përgjithshëm për lëvizjen dhe transportin të Komisionit Europian, Henrik Hololei, Brexit do të ketë ndikim negativ në aviacion.
Sipas tij, është e sigurt që Britania nuk do të qëndrojë në Agjencinë Europiane të Sigurisë Ajrore, për shkak se nuk do të pranojë epërsinë e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që është kusht për të qëndruar.
Agjencia kontrollon respektimin e rregullave të sigurisë për linjat ajrore dhe certifikon produktet e kësaj industrie në Europë, në përpjekje për të ulur kostot e zhvillimit dhe prodhimit.
Sipas raportimeve, Britania ka qenë një kontribuues i rëndësishëm ndaj Agjencisë në financa dhe nëpërmjet lidershipit në ide dhe politika.
Sipas zyrtarëve të Komisionit, Britania do të humbasë gjithashtu aksesin në tregun e përbashkët të BE për aviacionin, që përbën një mundësi për prodhuesit dhe linjat ajrore që të tregtojnë pa tarifa në rajon.
Komisioni Europian parashikon një marrëveshje në aviacion me Britaninë, të ngjashme me atë që organizata ka me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.