Pasojat e Covid-19/ Ekonomia franceze pëson tkurrjen më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore
Ekonomia franceze po përjeton tkurrjen më të madhe që ka pësuar ndonjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore sa i përket tremujorit të parë, sipas Bankës së Francës. Rënia prej 6% e bankës qendrore është treguesi i fundit i goditjes që kanë pësuar ekonomitë europiane nga kolapsi i njëkohshëm i kërkesës dhe ofertës. Një rënie e tillë e PBB-së mund të krahasohet vetëm me 5.3% që është regjistruar gjatë grevave të majit të vitit 1968.
Ashtu si agjensia e vendit për statistikat Insee, Banka e Francës duhej të ndryshonte mënyrën e saj të matjes për të parashikuar dëmet që do të shkaktonte kjo pandemi. Ajo përdori të dhëna me frekuencë të lartë, përfshirë këtu transaksionet e kartave dhe kërkesat për përfitime nga papunësia, për të vërtetuar rezultatet e sondazhit të saj mujor të 8,500 bizneseve.
Në industri, rëniet më të mëdha të aktivitetit ishin në sektorët e automobilave dhe makinerive, ndërsa hotelet dhe restorantet pësuan goditjen më të rëndë në sektorin e shërbimeve. Ndërkaq, banka qendrore deklaroi se humbjet që kanë pësuar bizneset gjatë një jave bllokim arrijnë deri në 32%, ndryshe nga parashikimet e Insee që i kishin vlerësuar humbjet në 35%.
Studimi i Bankës së Francës gjithashtu tregoi se fabrikat po funksionojnë me vetëm 56% të kapacitetit. Për shkak të goditjeve që kanë marrë aktivitetet prodhuese, Banka e Francës parashikon se PBB-ja e vitit 2020 do të jetë 1.5% më e ulët se ajo e një viti më parë. Megjithatë, banka theksoi se humbja aktuale e prodhimit mund të jetë në ndryshim të vazhdueshëm në rast se bizneset dhe konsumatorët do të vijojnë të jenë në izolim.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.