Pasojat e Covid-19 në shëndetësi – Strategjia: I përballojmë duke fuqizuar sistemin. integrim i shtetit me privatin

Pasojat që ka lenë pandemia e shkaktuar nga COVID-19 në sistemin shëndetësor parashikohet të përballohen duke fuqizuar sistemin e integruar shëndetësor. Ndërkohë që, në funksion të zbatimit të kësaj politike, ndër të tjera parashikohet integrimi funksional i ofruesve të shërbimeve në pronësi publike dhe private në një sistem ofrimi shërbimesh pa problem”.
Gjithçka përcaktohet në Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas dokumentit, integrimi i shtetit me privatin është një nga fushat e rëndësishme që mund të ndihmojnë Shqipërinë të shfrytëzojë të gjitha burimet dhe kapacitetet e disponueshme në mënyrën më efikase dhe efektive. Gjithashtu, për të fuqizuar sistemin shëndetësor nevojitet integrimi i vazhdueshëm i ofrimit të shërbimeve gjatë gjithë rrugëtimit të pacientit.
Për të arritur këto ndryshime një nga ndërhyrjet konsiston në fuqizimin e mëtejshëm të kujdesit shëndetësor parësor, si porta e parë hyrëse e qytetarit. Prej vitesh kjo masë ka qenë në fokus, duke kërkuar që hallka e parë që kontakton pacienti të jetë mjeku i familjes. Por, mesa duket kjo do të jetë një sfidë edhe për 10-vjeçarin e ardhshëm. Një tjetër masë është garantimi i eficencës së shërbimit për sistemin spitalor nëpërmjet zhvillimit të 4 Poleve Rajonalë Referencialë të Specializuar. Sipas dokumentit, qëllimi kryesor i një rishikimi dhe ri-strukturimi të kujdesit spitalor është sigurimi i efikasitetit të shërbimit, të kosto-efektivitetit dhe performancë të sistemit spitalor në Shqipëri. Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e optimizimit të rrjetit spitalor lidhet me aplikimin dhe shtrirjen e autonomisë spitalore, që gjithashtu synohet prej vitesh, por ende nuk ka asnjë hap konkret në këtë drejtim.
Nga ana tjetër do të bëhet edhe dyfishimi i kuotave të pranimit për mjekësinë për të plotësuar nevojat e shërbimit shëndetësor. Në funksion të fuqizimit të sistemit, si një formë për të përballuar pasojat e e pandemisë është edhe rishikimi dhe fuqizimi i politikave shëndetësore për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore.
Këtu përfshihet vazhdimi i rritjes graduale të pagave në sistemin shëndetësorë për ta bërë atë në fund te 10-vjecarit të krahasueshme me pagat e vendeve të rajonit dhe ato europiane, por edhe konsolidimi i proçesit të edukimit të vazhdueshëm mjekësor dhe trajnimit të stafit ndihmës, duke përfshirë edhe Hartimin e programeve reagimi ndaj pandemisë. Megjithatë, sipas dokumentit të nxjerrë për konsultim publik hendeku financiar për realizimin e kësaj politike arrin në 14,560,236,760, ndërkohë që në total për zbatimine të gjithë strategjisë hendu financiar përllogaritet në 207,070,766 euro.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.