Pastërtia e plazheve Klosi: Ligji do veprojë ashpër për subjektet që ndotin ujërat
Forca e ligjit do të jetë e ashpër pas datës 1 qershor për çdo subjekt që derdh ujërat e zeza në det. Gjatë një inspektimi në zonën bregdetare, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit apeloi sërish bizneset që të vendosin impiantet e depurimit të ujërave të zeza duke shtuar se ka zgjidhje dhe teknika bashkëkohore që mund të përdoren nga bizneset në varësi të kapacitetit të aktiviteteve që ushtrojnë.
“Ajo çfarë shikojmë këtu është një investim i shkëlqyer i cili ndihmon edhe vetë kompaninë për të pasur ujë të trajtuar për nevojat e tyre të brendshme dhe natyrisht për të krijuar një sistem që mbron në radhë të parë detin dhe pushuesit që do vijnë. Jemi besimplotë që këto përpjekje të para do të implementohen edhe në masa më te vogla e të mëdha në varësi të hoteleve pranë detit. Forca e ligjit do të jetë e ashpër pas datës 1 qershor. Vazhdojmë të bëjmë thirrje që të gjithë pronarët e këtyre lokaleve apo resorteve të implementojnë të njëjtën teknologji. Është e mundshme, ka në Shqipëri disa variante, disa zgjidhje, dhe inxhinierë të cilët afrojnë zgidhje nga më bashkëkohoret”, tha Klosi.
Deklarata u bë gjatë një inspektimit që ministri Klosi bëri në një nga resortet që ka instaluar impiantin e depurimit në Tale të Lezhës.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.