Pastrim parash në Shqipëri – “Grabitën” 2 mln euro në Itali, i fshehën në vendin tonë

Autoritetet italiane kanë zbuluar një skemë gjigande mashtrimi në të cilën janë përfshirë rreth 13 persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Nëpërmjet një skeme jo edhe aq të sofistikuar këta persona kanë mashtruar një sërë dyqanesh dhe superamrketesh duke i`a dalë të marrin rreth 2 milionë euro.
Grupi operonte në Umbria, Marche dhe Lazio. Sipas autoriteteve italiane ndërkohë, paratë e këtij mashtrimi u fshehën dhe më pas u pastruan në Shqipëri.
Mashtrimi kryhej nëpërmjet postës elektronike, ku anëtarët e grupit i dërgonin e-mail-e dyqaneve dhe supermarketeve të rëna në grackën e tyre, duke pretenduar se ishin klient, dhe kërkonin furnizim, për të cilin nuk i paguanin asnjëherë paratë.
Pavarësisht se kanë shfrytëzuar Shqipërinë për të fshehur paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme, të 13 anëtarët e grupit janë shtetas italianë. Madje, grupi i`a ka dalë të mashtrojë edhe disa banka, duke marrë hua të cilat nuk i ktheu kurrë.
Paratë në Shqipëri ishin të regjistruara në emrin e një prej personave të përfshirë në një llogari bankare, dhe u lokalizuan me anën e ndihmës së institucioneve bankare në vendin tonë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.