“Pastrimi” tkurr kredinë, portofoli bie me 8 mld lekë në dy muaj

Kreditimi i ekonomisë e ka mbyllur në rënie vitin 2016 dhe e ka nisur po në rënie vitin 2017. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia ra për dy muaj radhazi gjatë muajve dhjetor dhe janar, duke zbritur në një vlerë totale prej 545.2 miliardë lekësh, rreth 8 miliardë lekë më pak krahasuar me nëntorin 2016.
Veç dobësisë relative të huadhënies së re, shkaqet e rënies mund të interpretohen me faktorë specifikë sezonalë. Rënia me afro gjashtë miliardë lekë gjatë muaj dhjetor erdhi kryesisht si pasojë e pastrimit të portofolit nga kreditë e humbura. Rregullorja e Bankës së Shqipërisë kërkon që bankat të nxjerrin jashtë bilancit kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.
Zakonisht, ky proces ndërmerret nga bankat në muajit e fundit të vitit, sidomos në dhjetor. Pastrimi solli një ulje të raportit të kredive me probleme në 18.2%, por, nga ana tjetër edhe një ulje të vlerës totale të portofolit të kredisë.
Ndërkohë, në janar, rënia me 2.4 miliardë lekë e kreditimit vlerësohet të jetë në linjë me një ecuri sezonale të aktivitetit kreditues. Në muajt e parë të vitit, kërkesa për kredi është më e pakët, sidomos ndër bizneset.
Pavarësisht nga kjo, me bazë vjetore ecuria e kreditimit rezulton pozitive. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, portofoli i kredisë rezulton në rritje, me rreth dy miliardë lekë.
Rritja është mbështetur sidomos nga kreditimi i individëve, me një portofol në rritje vjetore me rreth gjashtë miliardë lekë. Kreditimi i bizneseve ngelet ende në rënie, me rreth 3.5 miliardë lekë më pak krahasuar me janarin 2016.
Huadhënia në këtë segment vlerësohet të jetë më e shtrënguar, ndërkohë që edhe procesi i fshirjes së kredive të humbura vlerësohet të ketë impakt më të lartë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.