Pasuritë e konfiskuara të krimit – Kompetencat i kalojnë Komitetit Ndërinstitucional, do i shesë apo japë në përdorim
Një seri ndryshimesh në Ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, rrisin dukshëm kompetencat e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, por veçanërisht të “Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar”, i cili do të vendosë nëse këto pasuri do ruhen, shiten, apo do u jenë të tretëve në përdorim.
Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, bazuar në rekomandimet dhe raportin e vlerësimit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vendos mënyrën e përdorimit të pasurive të konfiskuara, sipas këtij ligji, në përputhje me nenet 32 e 33 të tij. Vendimi i komitetit i njoftohet ministrit përgjegjës për financat.” Thekson një prej ndryshimeve të publikuara tashmë në fletoren zyrtare.
Për pasuritë, të cilat dëmtohen, u bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose dalin jashtë përdorimit, me kërkesë të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar vendos kalimin e të drejtave reale tek të tretët, nisur nga parimet e miradministrimit të pasurisë.
Ndërkohë që Komiteti mund të vendosë edhe shkatërrimin e pasurive nëse e sheh të arsyeshme. “Nëse procedurat e shitjes nuk janë ekonomike, Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar i propozon ministrit përgjegjës për ekonominë ndjekjen e procedurave ligjore për transferimin e pronësisë pa pagesë ose shkatërrimin e pasurisë së konfiskuar.”, përcakton Ligji i ndryshuar.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.