Paundi e mbyll javën në rënie – Ndikohet nga pritshmëritë e uljes së interesave nga BOE
Paundi ra poshtë 1.23 kundër dollarit amerikan në sesionin e fundit të kësaj jave, pasi Banka e Anglisë bëri të ditur se lëvizja e radhës do të jetë ulja e normës bazë të interesit.
Politikëbërësit e Bankës së Anglisë bënë të ditur se mund të ketë lehtësim të politikave monetare nëse vazhdon pasiguria në lidhje me Brexit. Paundi ra me 0.4% kundër dollarit në nisje të tregtisë, në 1.2280 dhe ndodhet vetëm 1% sipër nivelit rekord të ulët që u regjistrua pas referendumit të 2016.
Në takimin e javës së kaluar, Banka e Anglisë mbajti interesat të pandryshuara, por paralajmëroi se shtyrja e Brexit përsëri do të ndikojë te ekonomia. “Është e mundur që eventet politikë mund të sjellin një zgjatje të periudhës së pasigurisë”, deklaroi institucioni.
Bankat Qendrore në të gjithë botën kanë nisur lehtësimin monetarë, për shkak të inflacionit të ulët, ekonomisë së ngadaltë dhe rrezikut të recesionit. Më herët gjatë muajit, Rezerva Federale uli normën bazë të interesit në 1.75-2% dhe sinjalizoi ndërhyrje të mëtejshme në muajt e ardhshëm. Banka Qendrore Europiane uli normën e interesit për depozitat me 10 pikë bazë në -0,5%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.