Paundi në pritje – Pas zgjedhjeve në Britani mund të ketë surpriza

Britanikët do të votojnë të Enjten më 8 Qershor, dhe pikërisht këtu do të fokusohet interesi i investitorëve. Impakti i vërtetë në tregje do të vihet re të nesërmen e votimit.
Ekspertët projektojnë që, në rast se rezultati i votimeve do të prodhojë atë që njihet si parlament i varur, pra mungesën e një mazhorance të aftë për të krijuar një qeveri, atëherë paundi mund të bjerë deri në nivelin e 1.20 dollarëve.
Ky nivel është pranë atij të Janarit, ndërkohë që sot, paundi këmbehet me 1.26 dollarë amerikanë. Sondazhet e fundit tregojnë se, kjo gjë ka gjasa të ndodhë, duke nxjerrë konservatorët e Theresa May në avantazh, por pa mazhorancë.
Madje, kjo mundësi vlerësohet nga investitorët edhe më negative se ajo e fitores së laburistëve dhe disfatës së konservatorëve.
Investitorët janë në një mendje kur bëhet fjalë për qëndrimin e kryeministres, pasi e kundërshtojnë atë njëzëri sa i përket qëndrimit se, për Brexit do të ishte më mirë mungesa e një marrëveshje, sesa një marrëveshje e keqe.
Tregjet kërkojnë stabilitet, dhe mungesa e një marrëveshje nuk e prodhon këtë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.