PayPal pezullon shërbimet e saj në Rusi për shkak të luftës në Ukrainë!

PayPal tha të shtunën se po pezullonte shërbimet e saj në Rusi, duke shtuar numrin e firmave që tërhiqen nga vendi në përgjigje të pushtimit të Ukrainës. “Në rrethanat aktuale, ne po pezullojmë shërbimet e PayPal në Rusi”, tha Dan Schulman, CEO i PayPal, në një letër drejtuar qeverisë ukrainase.
Letra u postua në Twitter nga ministri i transformimit dixhital i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, i cili u ka bërë presion bizneseve, përfshirë Apple, te Microsoft, për të ndërprerë lidhjet me Rusinë. “Pra tani është zyrtare: PayPal mbyll shërbimet e saj në Rusi duke përmendur agresionin e Ukrainës”, shkroi Fedorov të shtunën në Twitter. “Faleminderit PayPal për mbështetjen tuaj!”
Një zëdhënës i PayPal konfirmoi se kompania po mbyllej në Rusi. Kompania do të “vazhdojë punën për të përpunuar tërheqjet e klientëve për një periudhë kohore, duke siguruar që balancat e llogarive të shpërndahen në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, tha zëdhënësi.
Përpunuesi i pagesave kishte ndërprerë tashmë shërbimet e brendshme në Rusi në vitin 2020. Ky veprim i fundit lidhet me biznesin e tij të mbetur në vend, duke përfshirë funksionet e dërgimit dhe marrjes dhe aftësinë për të kryer transferime ndërkombëtare nëpërmjet platformës së dërgesave të emigrantëve Xoom të PayPal.
Rusët u penguan të hapnin llogari të reja PayPal në fillim të kësaj jave, tha kompania. PayPal është organizata më e fundit e pagesave që ndërpreu lidhjet me Rusinë, e cila tani përballet me një breshëri sanksionesh nga Perëndimi për vendimin e Presidentit Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën. CNBC
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.