PD: Qeveria fsheh sistemin e pikëve, 20 mijë familje pa ndihmë ekonomike

Partia demokratike akuzon qeverinë se refuzon të publikojë sistemin e pikëve mbi bazën e të cilit vendos për ndihmën ekonomike.
Anëtarja e Komisionit të Çështjeve Sociale Grida Duma publikoi përgjigjen e cunguar të qeverisë, jashtë afatit ligjor, ku renditen vetëm kriteret, por jo pikët, siç kërkohej në shkresën e 31 janarit.
Sipas Dumës nga përgjigja është e qartë se kriteret e ndihmës janë subjektive dhe abuzive.
“Sipas përgjigjes së qeverisë, nëse një familje ka tualet brenda banesës, lavatriçe apo sobë me dru apo pa dru, qeveria e s’kualifikon nga skema e ndihmës. Absurditeti i kritereve qëndron tek fakti se këto kritere janë vendosur, kur e njëjta qeveri u ka shpërndarë të njëjtave familje dekodera dixhitale”.
Duma shkruan në postimin e saj në facebook se qeveria nga fshehja e sistemit të pikëve ka përjashtuar 20 mijë familje.
“Përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike e mijëra familjeve u paralajmërua nga opozita kohë më parë, qeveria u fsheh duke mos dhënë asnjë sqarim dhe sot jemi para faktit të kryer ku vetëm këtë muaj janë nxjerrë dhe lënë pa asnjë ndihmë ekonomike mbi 20 mijë familje në gjithë Shqipërinë.
Qeveria jo vetëm ju ka hequr bukën e gojës fëmijëve, të moshuarve apo personave me aftësi ndryshe por edhe nuk iu jep asnjë sqarim mbi ç’baza dhe cilat kritere janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike. Siç shihet në shkresën bashkëngjitur qeveria pranon atë që opozita dhe qytetarët kishin dhe e kanë shqetësim, kriteret e ndihmës janë subjektive dhe tërësisht abuzive. Në kriteret e ndihmës ekonomike radhiten edhe pajisje bazike jetike të cilat mund t’i ketë çdo familje e varfër.
Siç shihet dhe në përgjigjen e bashkëngjitur të ministrisë, mbajtja në fshehtësi e pikëve përkatëse që ka çdo kriter, pra sa pikë vlerësohet nëse qytetari ka një lavatriçe, sa pikë vlerësohet nëse ka një sobë dhe si variojnë në secilën zonë të Shqipërisë; është qartësia që skema është e manipulueshme”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.