Peleshi: Bashkimi i fermerëve, produktet mund të shiten me çmime shumë të larta në treg

Bashkimi i fermerëve në unione, krijimi i inkubatorëve të prodhimeve tipike, janë një model për rimëkëmbjen e fshatit në të gjithë Shqipërinë, deklaroi ministri i Bujqësisë Niko Peleshi. Nga ana tjetër kjo do të shtojë të ardhurat për banorët e zonave rurale, që do të kenë mundësi për certifikimin e produkteve të tyre.
“Që ne të ndërtojmë një mirëqenie në fshat, larg sloganeve politike, të vërtetë, duhet që të bëhen bashkë disa faktorë. Në radhë të parë duhet komuniteti. Së dyti na duhet përfaqësues vendorë të përgjegjshëm dhe të zgjuar.
Ndaj ju thashë, kjo që ndodh këtu, nuk është e zakonshme për fshatin shqiptar. Këto lloj bashkëpunimesh nuk është se i hasim në çdo fshat.
Na ndihmoni për ta marrë këtë model dhe për ta çuar në çdo fshat të Shqipërisë. Ka shumë potenciale, të cilat janë të fjetura. Ne kemi mundësinë t’i mbështesim për të ndërtuar punishte të vogla të përpunimit dhe prodhimit të produkteve tipike tradicionale të zonës, ose që bazohen tek prodhimet e zonës. Për shembull, ulliri. Mund ta çosh ullirin tek fabrikat e ullirit dhe mund ta shesësh me 8 mijë lekë kilogramin, por në qoftë se bashkëpunoni, në qoftë se Unioni do të mund të ndërtojë së bashku një punishte, apo fabrikë ulliri dhe pastaj me ndihmën dhe të fondacionit ta ambalazhojnë, ta etikojnë, ta shesin siç duhet, mund të shitet me çmim shumë më të lartë. Këto bashkëpunimet e vogla të fshatit tuaj, mund të disafishojnë të ardhurat për disa familje. Në fund fare ky është dhe qëllimi i përbashkët. Ajo që ne na bashkon është misioni ynë për të sjellë një jetë më të mirë në fshat dhe në qytet dhe aspiratat tuaja për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe për fëmijët”.
Deklaratat ministri i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të themelimit të Unionit të Fermerëve të Seferanit në zonën e Belshit, ku u shpërndanë edhe 20 makineri bujqësore ne ndihme te tyre.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.