Peleshi: Fermerët të bashkohen, më shumë mbështetje financiare
Për të marrë më shumë mbështetje financiare fermerët duhet të riorganizohen dhe të bashkohen në formacione më të mëdha. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi gjatë takimit me fermerët e fshatit Drenovicë, Bashkia Ura Vajgurore, tha se kjo është mënyra më e mirë për të patur avantazhe, përsa i përket skemës së mbështetjes.
“Do mbështesin rritjen e sipërfaqes së serave, do t’ju mbështesim me subvencion prodhimin, por ju inkurajojmë edhe që të rriteni. Në qoftë se nuk keni mundësi të merrni toka me qira dhe të bëni sera, atëherë bashkohuni. Nuk po themi që të bashkoheni në kooperativë, si qëmoti, pra të bashkoni tokën, vazhdoni secili tokën e vet, por bashkohuni në një SHBB, apo në një grup fermerësh, apo bëhuni bashkë, sepse po të jeni bashkë keni mundësi të përfitoni më tepër. E vetmja, që ne kërkojmë nga ju, është që edhe ju të bëni një hap përpara. Ne do bëjmë një hap përpara dhe ju duhet të bëni një hap përpara. E kam fjalën për organizimin tuaj, që është në dobinë tuaj, por për shkak të mentalitetit tonë, ne e kemi një çik të vështirë të bashkëpunojmë. Duhet të filloni bashkëpunimin në shitje apo në blerjen e inputeve, që të rrisni fermat. Kështu, që sa më shumë të bashkoheni ju, aq më të thjeshtë e kanë grumbulluesit të bëjnë kontrata të mëdha. Sepse, me 500 fermerë është më e vështirë, sesa të merresh me 30.”
Ministri ka bërë sqarime edhe në lidhje me riorganizimet e Drejtorive të Bujqësisë, dhe produkteve të cilave, do t’u jepet përparësi në skemën e mbështetjes financiare, si dhe mënyrës së veprimit për të tregtuar mallin. Duke filluar që nga prodhimi, grumbullimi, ambalazhimi, certifikimi dhe negocimi me njësitë tregtare.
“Ndaj kur themi që do t’i shpërbëjmë drejtoritë e bujqësisë, nuk do të thotë që do t’i shkrijmë, por do t’i riorganizojmë. Ato produkte, që janë produkte eksporti, apo që mund zëvendësojnë importin, që janë të konkurrueshme, që kanë treguar se janë të suksesshme,… ne duhet t’i mbështesim në çdo ferme. Çdo fermer duhet ta ketë një pikë kontakti me agronomin, për t’u këshilluar gjatë sezonit të mbjelljes. Këtë gjë do ta arrijmë! Ndërsa, po të jeni bashkë, zgjidhni një negociues, edhe çmimi që merrni është më i mirë.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.